StatCounter

giovedì 18 settembre 2014

Teksti i botuar i intervistesl - testo dell'intervista (a Zef Chiaramonte) pubblicata


Bota Press

Edhe sot ruhet tradita e unazës në pagëzimin e fëmijëve arbëresh në Sicili  

Në intervistën e zhvilluar me albanologun Zef Chiaramonte, ai  flet për krenarinë e të qenit arbëresh, për traditat arbëreshe, skepticizmin e tij për ruajtjen e traditave dhe gjuhës arbëreshe, e për shumë çka tjetër…
Intervistoi: Ajete ZOGAJ

Ancora oggi la tradizione è conservata nel battesimo dei bambini arbëresh in Sicilia 
In un'intervista condotta con l'albanologo Zef Chiaramonte che  parla dell'orgoglio di essere arbëresh, delle tradizioni arbëreshë, del suo scetticismo circa la salvaguardia delle tradizioni e della lingua Arbëreshë, e di molto  altro ... 
Intervista di Ajete ZOGAJ
^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^
Pyetje: Kush është Zef Chiaramonte?
Përgjigje: Së pari unë jam një arbëresh. Pas studimeve klasike kam ndjekur fakultetin filozofik dhe letërsi, kurse kam doktoruar në Teologji duke mbrojtur disertacionin mbi Dostojevskin. Kam disa botime dhe artikuj në revista të ndryshme arbëreshe dhe italiane, kurse kohëve të fundit jam marrë me poezi. Jam nga Sicilia dhe banoj në Palermo. Ne fillim të jetës së angazhuar jam marrë me ligjërimin e kulturës biblike në shkollat e larta, më vonë konkurrova për drejtor biblioteke te një vendbanimi arbëresh, ku u mundova të krijoja edhe një degë të specializuar me libra arbëreshe dhe shqiptare. Nuk pata sukses, por ideja ishte e mirë dhe të tjerë e kanë ndjekur pothuajse tek të gjitha qytezat tona arbëreshe.
M’u desh të ndryshoja vendin e punës dhe kalova ne Palermo, kryeqyteti i krahinës autonome të Sicilisë, si shef i  Bibliotekës Etnografike Siciliane. Kjo bibliotekë ruan dorëshkrimet e Giuseppe Pitre –së, i cili është  nismëtari i shkencës sot të quajtur demoetnoantropologji. Ai ka qenë kryemjeshtër në mbledhjen e traditave popullore qofshin materiale e jo materiale, një shembull për mbarë Evropën. Me të ka mbajtur korrespondencë Dora d’Istria dhe shumë arbëreshë, ashtu që një fond jo i vogël i Bibliotekës i takon kulturës tonë, si edhe disa eksponate muzeale vijnë nga qytezat arbëreshe. Për  Pitre-në dhe kontributin e tij pata një referim gjatë një në një nga Seminaret për Gjuhën Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare këtu në Prishtinë. Ai ka radhitur në veprën e tij  “Biblioteka e traditave siciliane”, në 24 vëllime, disa pjesë të kulturës arbëreshe. Gjithashtu, ai ka qenë themelues i Muzeut  të parë etnografik në botë, në qytetin e Palermos, ku ruhen deri me sot pjesë të veshjes tradicionale arbëreshe. Gjithashtu Giuseppe Pitre ka qenë i pari që ka mbledhur thesarin gojor arbëresh dhe e ka shkruar me një alfabet që përdorej asokohe ndër arbëreshët e Sicilisë. Tek punoja në këtë bibliotekë ka qenë fat i mirë për mua, pse pata rastin, ndër të tjera, të kultivoja kulturën tonë.
ajetja2
Pyetje: E përmendët se keni punuar edhe profesor, cilën lëndë e keni ligjëruar?
Përgjigje: Kam ligjëruar kulturën biblike në Liceun Shkencor Galilei në Palermo. Këtu jam kujdesur për Ekspozitën e parë të Librit Shqip në Jugosllavi në vitin 1989, po këtu filluan manifestimet për Ditët e Kulturës Kosovare në Sicili në vitin 1981. Kemi menduar pastaj të bëjmë të kundërtën por nuk arritëm ta realizojmë. Është mbajtur edhe Ekspozita e piktorëve nga Kosova si dhe një koncert nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” dhe një pjesë teatrale nga Teatri asokohe Krahinor i Kosovës.
Në Kishën e sotme të Arbëreshëve të Palermos ruhen vizatimet në mozaik të Shën Florit dhe Shën Laurit
Pyetje: Është i njohur kontributi Juaj për Seminarin për Gjuhën, Kulturën dhe Letërsinë Shqiptare ku vazhdimisht keni sjellë prurje të reja shkencore. Keni përgatitur ndonjë kumtesë edhe kësaj radhe?
Përgjigje: Kësaj radhe unë erdha rastësisht këtu, sepse për disa muaj nuk isha mirë me shëndet, prandaj nuk kam ndonjë kumtesë sivjet. Kam pas filluar një punim mbi dy medaljone të ruajtura në Kishën e sotme të Arbëreshëve në Palermo,  Santa Maria dell’Ammiraglio ose Kisha e Martoranes, në qendër të qytetit. Nuk i kishim vënë re ndonjëherë më përpara, por në këmbët e një harku, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, janë të vizatuar me mozaik Shën Flori dhe Shën Lauri, të cilët janë martirët e qytetit të lashtë këtu në Ulpianë. Me që kjo kishë është e shek. XII dhe është e themeluar nga Veziri i Madh i mbretit të Sicilisë i cili ishte nga Antiokia në Siri, supozohet se kulti i dy shenjtorëve Flori dhe Lauri ka depërtuar në Sicili përmes Sirisë. Mendoj se në vitin e ardhshëm do të kam gati një kumtesë për Seminarin mbi këtë gjetje.
Pyetje: A e keni trajtuar këtë temë më detajishit?
Përgjigje: Këtu ndeshen dy tradita: tradita siciliane nga koha e Ikonoklazmit që përmban shumë gjëra që vijnë nga Siria ku murgjit ishin të persekutuar dhe iknin për në Italinë e Jugut dhe sidomos në Sicili, të vështruar si zona franka. Tradita e lashtë e Sicilisë u ndesh më vonë me vullnetin e këtij veziri, Gjergji i Antiokisë, i cili ka dashur të vizatoheshin këta dy shenjtor me mozaik në shekullin XII në Kishën personale e të cilës ka qene ktitori. Fati deshi që sot ajo kishë i takon  Arbëreshëve.
Për disa vite  bëra kurse për mësimin e arbër – shqipes
Pyetje:  Z. Chiaramonte, sa ruhet gjuha shqipe në vendin ku ju jetoni dhe a mësohet ende në shkolla?
Përgjigje: Shkollimi tek ne bëhet në gjuhën italiane, ligji i vitit 1999 i jep liri bashkësive arbëreshe që të fusin brenda orarit shkollor  mësimin e gjuhës arbëreshe. Për sa di unë, nuk shkon mirë kjo punë, ngase janë favorizuar të rinj pa përvojë vetëm e vetëm për interesa të politikës së ditës. Mendoj se të mësosh mirë arbërishten duhet të dish mirë gjuhën letrare, sidomos nga pikëpamja e drejtshkrimit, dhe të zotërosh të folmen lokale arbëreshe. Unë isha i pari që në një shkollë popullore, në vend të anglishtes a të frëngjishtes u orvata që të futej arbërishtja. Doli mirë, sepse përveç nxënësve, zgjoi kureshtje te të rinjtë e tjerë, ashtu që për disa vite rresht bëra kurse të lirë gjuhe për mësimin e arbër-shqipes. Mësimin ua jepja në gjuhën arbëreshe, dhe ku mungonte fjala në gjuhën arbëreshe i shtoja fjalën shqipe. Mënyra më e mirë është kjo: merre një këngë popullore të njohur nga nxënësit dhe le ta shkruajnë në tabelë ashtu si dinë, në fazën e dytë jepen shpjegimet dhe bëhet korrigjimi duke respektuar alfabetin e Manastirit dhe, për sa është e mundur, drejtshkrimin e sotëm.  Me sa di unë gjendja sot nuk është e mirë.
Pyetje: Jeni autor i disa librave, a mund të na flisni për ndonjërën prej tyre?
Përgjigje: Po, mund të flas për librin “Noi veniamo dall’Albania”=“Ne vijmë nga Shqipëria” (1993),  është libër dygjuhëshe kushtuar fëmijëve që kur filluan migrimet. Është i shkruar në italishte dhe në gjuhën shqipe, ka edhe një pjesë arbëreshe. Libri përmbanë anekdota, historinë e Shqipërisë, historinë e arbëreshëve. Bënë pjesë te një koloanë disa vëllimesh, vëllimi i parë i kushtohet fëmijëve filipinë, kurse vëllimi i dytë është për shqiptarët. Kështu që fëmiju i huaj, kur shkon në shkollë, nuk do ndihet pa mbështetje por dëfton me anë të librit dygjuhësh, se edhe ai është bartës i një kulture. Kur tekstin e ke edhe në shqip edhe në italisht, ai është një element shoqërues i dorës së parë.
 Pyetje: Po kohëve të fundit me se po merreni?
Përgjigje: Kohëve të fundit kam hulumtuar në Arkivin e  Vatikanit (Kongregata e ish-Sant’Ufficjo-s) rreth veprës së Buzukut. A hyri ajo në indeksin e librave të ndaluar apo jo? Erdha në përfundim se nuk hyri asesi në radhën e librave të ndaluar nga Kisha katolike, as në Romë, as në Francë as në Maltë as në Venedik ku ishin selitë e ikuzicionit.
Pyetje: Pse pikërisht ky hulumtim për veprën e Buzukut?
Përgjigje: në vitin 2005 isha në Ulqin ku u mbajt një Simpozium për veprën e Buzukut, kur një profesor i famshëm nga Shqipëria më mori për krah dhe më thotë: “Të gjithë citojmë Koncilin e Trento-s, po çka ka thene Koncili i Trento-s pikërisht për gjuhët vulgare në Meshë askush nuk di. Ka qenë si një sfidë për mua! Kështu lexova aktet e të gjitha seancave të Koncilit, të gjitha ato pjesë që merren me  gjuhët popullore amtare, i rreshtova dhe del një temë interesante. E kam në italishte dhe është botuar para dy vjetësh te një revistë e specializuar për liturgji, kurse tani jam duke e përkthyer në shqip dhe besoj se në të ardhmen do ta prezantoj këtu. Titulli është “Vepra e Buzukut midis reformës, kundërreformës dhe islamit”.
Pyetje: Të rikthehemi edhe njëherë tek figurat e Shën Florit dhe Shën Laurit, a mund të konkludojmë për shtrirjen e territorit ilir, kur dihet se Iliria ka pasur një shtrirje të gjerë territoriale?
Përgjigje: Para ikonoklazmit, që i takon shekullit VIII, Iliriku me Italinë e Jugut dhe Sicilinë ishin tri krahina që edhe pse ishin të ritit lindor bizantin, nga pikëpamja administrative vareshin nga Roma me anë të një Vikari zëvendës i Papës që banonte në Selanik dhe prej Selaniku pastaj në Ohër. Arbëreshët, kur ikën nga Ballkani dhe u vendosën në Itali, vareshin pikërisht nga Ohri, prej nga, herë pas here, vinte një ipeshkev për të  bërë shungurimet e priftërinjve arbëreshë duke kaluar përmes Papës. D.m.th, kishte një marrëveshje midis Selisë se Romës dhe Ohrit, e cila më vonë nuk shpëtoi, u humb mbas Koncilit të Trento-s nga frika e kishës katolike ndaj protestantizmit dhe ndaj riteve që ndryshojnë nga riti saj. Kështu që arbëreshët kanë pësuar disa disfata, disa qyteza arbëreshe nuk janë më të ritit lindor, disa kanë humbur edhe gjuhën. Meqë Iliriku ishte e treta krahinë lindore që varej nga Papati,  midis këtyre tri provincave ishte më lehtë të kalojnë kujtimet e martirëve Shën Flori e Shën Lauri. Shqipëria kishte një lidhje,  edhe pse nuk është zbuluar akoma shumë mirë, me Sirinë dhe me Palestinën. Kodi i purpurt i Beratit, për shembull, që i takon shek. VI ose të VII, duket që është marrë nga një kod më i vjetër palestinez. Edhe kulti i këtyre dy shenjtorëve mund të lidhet me Sirinë po patëm parasysh se ktitori i kishës ku ruhen dy portretet rrjedh prej Sirisë. Por tradita e kultit të tyre mund të ishte tashmë e pranishme në Sicili falë marrëdhenieve midis Sicilisë dhe Ilirikut. Mozaikë të tjerë nuk kemi. Kemi një ikonë nga Rusia dhe, ndoshta (duhet verifikuar), një vizatim në freskat e Manastirit te Graçanicës.
Tradita e ruajtjes së unazës në pagëzimin e fëmijëve arbëresh në Sicili
Pyetje: Sa është interesimi i të rinjve atje për të ruajtur traditat arbëreshe, qoftë tek gjuha, vallet, veshjet apo edhe ritet e ndryshme familjare?
Përgjigje: Po, veshjet ruhen dhe përdoren në festat e mëdha lidhur me ritin bizantin arbëresh ose për martesa, për pagëzime e fejesa. Ruhet edhe tradita e unazës për pagëzim, unaza arbëreshe që nunët ia falën djalit. Kjo unazë pastaj i kalon nuses së djalit kur fejohet. Vjehrra, gjatë takimit të parë, këtë unazë ia vë te gishti të fejuarës. Kjo është një traditë pikërisht e  arbëresheve të Sicilisë, një ritual arbëresh. Po ashtu është zakon që kur nusja hynë në shtëpinë e burrit e vjehrra e pret me një gotë verë, me bukë e me kripë. Kurse vjehrri i jep të holla. Valle tek arbëreshët e Sicilisë nuk ka. Tradita e valleve është ruajtur të arbëreshët e Kalabrisë të cilët kanë ruajtur më së miri traditat popullore, kurse tradita arbëreshe në Sicili lidhet gjithnjë me kalendarin kishtar. Tradita ruhet gjegjësisht në familje, por sot kriza prek edhe te arbëreshët…
Jam pak pesimist se traditat dhe gjuha arbëreshe do të ruhen nga të rinjtë!   
 Pyetje: A jeni optimist se megjithatë, gjuha arbëreshe, traditat arbëreshe do të ruhen nga gjeneratat e reja?
Përgjigje: Jam pak pesimist, sepse kjo traditë ka qenë e ruajtur nga familja e nga kisha, ne njefare simbjoze te frutshme. Ka qenë një traditë mund të them shpirtërore. Tani hyri leku, dhe ku hyn leku hynë interesi, dhe interesi dobëson idealin. Mund të them se idealistë pas moshës time me nuk ka. Ata që janë të aftë janë lënë anash. Ligji ka sjellë vështirësi e jo lehtësi. Të gjithë kemi vepruar që të vijmë te ligji, por ligji aplikohet në mënyrë jo korrekte.

Nessun commento:

Posta un commento